Kurti: Rrezikojmë luftë, pas Serbisë qëndron Putini

Kurti: Rrezikojmë luftë, pas Serbisë qëndron Putini

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ekziston rreziku për një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, marrë parasysh se pas Serbisë qëndron lideri rus, Vladimir Putin, edhe rreziku për konflikt mbetet i lartë.

“Rrezikojmë luftë. Pas Serbisë është Putini. Nuk dua të them shumë i lartë, edhe sepse ne kemi kontigjentin e NATO-s këtu, por sigurisht i lartë.

Ne jemi një demokraci në kufi me një autokraci, në fund të fundit. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini, ishte Ukraina. Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, ato do të jenë shumë të larta”, tha Kurti për gazetën italiane “La Repubblica“.

I pyetur mbi manovrat ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën, Kurti tha se janë 48 baza ushtarake serbe të ngritura nga Serbia.

“Vitin e kaluar ata planifikuan 91 stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe bënë 104. Dy më të rëndësishmet quhen Mburoja Sllave dhe Vëllazëria Sllave. Që nga gushti 2001, Serbia ka ngritur 48 baza operative përpara, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë. Veteranët serbë janë bërë të gjithë pro Rusisë. Si për të thënë: rreziku ekziston dhe ne e paralajmërojmë atë”, u shpreh ai.

Barrikada rrugës për në Bërnjak

Duke folur për bllokadën e rrugëve të dielën që shkoi, kryeministri Kurti tha se njerëzit në bllokada punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës dhe paguhen nga Beogradi.

“Prokurori po shikon videot e postuara në rrjetet sociale. Ata ishin persona në listën e pagave të Beogradit, të cilët punojnë në strukturat ilegale në veri të Kosovës. Disa prej tyre ishin vërtet kriminelë, pasi vitin e kaluar përfunduan në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të ShBA-së. I referohem Radoiçiqit dhe Veselinoviqit. Ishte deja vu: ajo metodë është përdorur nga serbët në fillim të viteve 90-të gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Por Kosova tani është një vend demokratik, ata mund të bëjnë shumë pak. Ata janë të frustruar sepse ekonomia jonë, edhe pse nuk na njohin si shtet, ajo po lulëzon”, tha Kurti.

Largimi i barrikadave në Jarinjë

Ai ka thënë poashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO e ndihmon paqen në rajon kur është pyetur nëse do të krijonte tensione me Serbinë, futja e Kosovës në NATO.

Më 31 korrik, serbët në Kosovë vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të qeverisë për targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria e Kosovës tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Të gjitha bllokadat në veri u hoqën pasditen e 1 gushtit./Insajderi.com