Kurti: S’e kemi luksin të gabojmë e eksperimentojmë, është momenti i fundit të ballafaqohemi me të kaluarën

Kurti: S’e kemi luksin të gabojmë e eksperimentojmë, është momenti i fundit të ballafaqohemi me të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se është momenti i fundit që Kosova të ballafaqohet me të kaluarën, duke shtuar se duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet të gjitha institucioneve në mënyrë që të mos themelohen nisma të përsëritura, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai në mbledhjen e parë të grupit punues për hartimin e Projekt Strategjisë për Drejtësinë Tranzicionale.

Kurti shtoi the se gabimi më i madh që kanë bërë institucionet është se janë përsëritur të gjeturat dhe gjërat kanë mbetur vetëm në letër, por sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të gabojë e as të eksperimentojë më me këtë temë duke shtuar se sepse qëllimi është i përbashkët e ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive.

“Nevoja për bashkërendim për iniciativë të ndryshme u folën në takimin e kaluar, ky është momenti i fundit për ballafaqim me të kaluarën. Është e rëndësishme që të kemi koordinim të duhur në mënyrë që të kemi konsistencë, nuk i bëjmë nder as vetës as bartësve të dëmit nëse krijojmë nisma që e përsërisin vetveten. Strategjia duhet të bashkojë të gjitha nismat e filluara. Problemi dhe gabimi më i madh është që kemi pasur nisma ad-hoc që kanë përsëritur të gjeturat dhe nuk kanë adresuar këtë temë, kjo është vetëm një nga arsyet që kjo strategji të ofrojë platformë veprimi ndërmjet nismave dhe të shërbejë si referencë”, ka thënë ai, raporton EO.

“Ne e kemi bërë të qartë në ballafaqim me të kaluarën, me shumë rëndësi është që strategjia mos të mbetet në letër. Nuk do të jetë e lehtë, por ka interesim nga ekspertët që të na ndihmojnë në këtë drejtim. Ne nuk e kemi luksin që të gabojmë më, nuk kemi mundësi të eksperimentojmë e të dështojmë, të bashkojmë forcat të gjithë sepse qëllimi është i përbashkët e ka të bëjë me krijimin  e kujtesës kolektive që u shërben brezave pas nesh, por paqja kërkon drejtësi, në Kosovë nuk ka ndodhur drejtësia e viktimat e meritojnë atë”, shtoi më tej ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë marrë një varg masash sa i përket hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës, duke përmendur themelimin e Instituti për krimet e luftës.

Edhe Haxhiu ka bërë thirrje që të gjithë të bashkohen në hartimin e strategjisë.

“Ne kemi marrë disa veprime për krimet e luftës, prej ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale te gjykimi në mungesë, kemi shtuar edhe katër prokurorë në PKRS, kemi themeluar edhe grupin punues për Institutin për krime të luftës, në shator do të kemi gjëra konkrete”.

“Strategjia do të jetë gjithëpërfshirëse, hapësirë për të gjithë të interesuarit duhet të ketë. Ne si ministri jemi përkushtuar që ajo të jetë e hartuar sipas ligjeve vendore dhe ndërkombëtare. T’i bashkojmë forcat në interes të të gjithëve”. /Insajderi.com