Kurti s’e shkarkon Rakiqin, thotë se çështja s’është ai

Kurti s’e shkarkon Rakiqin, thotë se çështja s’është ai

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nuk është në plan të tij shkarkimi i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, i cili doli kundër vendimit të Qeverisë për luftimin e kontrabandimit me mallra në të gjithë vendin, transmeton Insajderi.com.

Kështu la të kuptohej ai në një aktivitet të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ku tha se çështja nuk është Rakiqi.

“Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë”, tha ai.

“Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, shtoi Kurti.

Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe

Të mërkurën, Rakiq e cilësoi aksionin që përfshiu edhe veriun e Kosovës si “Natë të Kristaltë” (pogromi i gjermanëve nazistë kundër çifutëve).

“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiqit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka thënë Rakiq, para takimit të thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. /Insajderi.com