Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Fazli Veselit, babait të ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, njofton Insajderi.
Me anë të një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se Kurti ka ngushëlluar ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe familjen e tij për humbjen e familjarit të tyre.
“Me keqardhje të madhe mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Fazli Veseli”.
“Në këto çaste pikëllimi, i shprehë ngushëllime ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe mbarë familjes Veseli, për vdekjen e familjarit të tyre”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli ka ndërruar jetë të mërkurën e 7 korrikut, në moshën 94 vjeç.
Në maj të këtij viti, Kadri Veseli ishte liruar për vizitë nga Haga për ta vizituar babain e tij në gjendje të rëndë shëndetësore, që ndodhej në spitalin “Dr Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. /Insajderi.com