Kurti: Shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për sanksionimin e grupeve kriminale në veri

Kurti: Shumë i mirëseardhur vendimi i SHBA-së për sanksionimin e grupeve kriminale në veri

Kryeministri, Albin Kurti, u shpreh se është shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e sanksioneve ndaj Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq dhe grupit të tyre kriminal, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në Veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve.

“Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, shkroi ndër tjerash Kurti.

Sipas tij, ky vendim i SHBA-së, vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës para disa javësh në Mitrovicën Veriore, kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.

Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shkroi tutje Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviq – njërit nga bosët e krimit të organizuar në veri të Kosovës.

Këto sanksione u ndërmorën pasi Departamenti Amerikan i Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja ka targetuar 16 individë dhe 24 subjekte në disa shtete të Evropës, ndër të cilët bëri pjesë edhe Veselinoviq.

Sipas njoftimit të zyrës për media të këtij departamenti, grupi i Veselinoviqit është përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë edhe Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq./Insajderi.com