Kurti: Strategjia e Energjisë do ta çojë vendin drejt dekarbonizimit

Kurti: Strategjia e Energjisë do ta çojë vendin drejt dekarbonizimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se Strategjia e Energjisë për vitet 2022-2030 do ta çojë vendin drejt energjisë së pastër dhe dekarbonizimit.

Kurti, gjatë prezantimit të kësaj strategjie është shprehur se do të ofrojë zhvillim dhe punësim të qëndrueshëm në vend, shkruan Shqip.com.

“Gjatë 20-vjetëve të fundit sektori i energjisë në vend nuk ka pasur asnjë vendim në të mirë të qytetarëve bazuar në analiza, studime dhe të dhëna faktike. Në duhet të ofrojmë siguri të furnizimit si për amviseritë dhe për bizneset, në mënyrë që të kemi një zhvillim ekonomik e punësim në vend”, tha ai.

“Strategjia e Energjisë 2022-2030 është e para në Kosovë është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente e për këtë kemi marr përsipër detyrën për identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që plani ynë të niset drejt dhe të divesifikoj miksin e energjisë”.

Kurti tha se kjo strategji do të promovoj bashkëpunimin rajonal, me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

“Do të ruaj sigurinë e furnizimit dhe do të promovoj bashkëpunimin rajonal, së pari me Shqipërinë e pastaj për vendet tjera. Kjo strategji do të ketë objektiva mjaftë ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se mungesa e investimeve në rigjenerim në vitet e kaluara vazhdon të prek sigurinë energjetike që ka ndikuar negativisht te bizneset kosovare.

Teka ka folur për strategjinë e energjisë, Rizvanolli tha se janë të angazhuar të zhvillojnë një strategji që siguron një tranzicion energjetik në Kosovë.

“Ne si ministri jemi të angazhuar të zhvillojmë një strategji që siguron një tranzicion energjetik për vendin tonë, i cili siguron drejtësi sociale për të gjithë qytetarët. Vizioni që na udhëheq gjatë hartimit të kësaj strategjie është rruga afatgjate drejt dekarbonizimit deri në vitin 2050, ndërkohë që ne ruajmë sigurinë energjetike për konsumatorët, rrisim burimin e energjisë së pastër dhe sigurojmë integrim të pastër të energjisë me ekonomi të qëndrueshme”, tha ajo./Insajderi.com