Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë, Bojan Bertoncelj, ku u diskutua për raportet në mes dy shteteve.
Në njoftimin e Qeverisë për media thuhet se, ambasadori ia dorëzoi Kryeministrit personalisht letrën e urimit nga Presidenti i Sllovenisë, Janez Jansha, dhe uroi kryeministrin për mandatin e fituar.
Ambasadori slloven deklaroi se gjatë presidencës së ardhshme të Bashkimit Evropian, që fillon në korrik, një ndër prioritetet e Sllovenisë do të jetë Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, dhe se Sllovenia do të mbështesë Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim euro-atlantik.
“Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin duke çmuar lart angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë. Ai theksoi se Sllovenia përveçse vend mik është edhe partner strategjik i Kosovës. Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kryeministri vlerësoi faktin që Sllovenia do të udhëheqë me presidencën e BE-së dhe mirëpret vullnetin për angazhimin e Sllovenisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com