Kurti takohet me kancelarin austriak, tregon se çka biseduan

Kurti takohet me kancelarin austriak, tregon se çka biseduan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të premten se pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, është takuar me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, përcjell Insajderi.

Gjatë këtij takimi, Kurti tha se kanë shqyrtuar mundësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata kosovare në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve.

Ndër të tjera, shefi i qeverisë kosovare bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahet një samit i përbashkët biznesi Kosovë-Austri.

“Fillimisht e falënderova Kancelarin Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë, qysh prej pranimit të studentëve dhe diplomave në vitet e ‘90-ta deri te mbështetja në menaxhimin e pandemisë Covid-19. Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane”, shkroi ai në Facebook./Insajderi.com