Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, se marrëdhëniet Kosovë-Greqi po bëhen më të ngushta.
Ai këtë e shkroi duke folur për darkën që ka shtruar për ministrin Dendias, i cili dje ka mbërritur për një vizitë zyrtare dhe ka takuar edhe presidenten Vjosa Osmani.
“Marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë. Është një dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kënaqësi të pres për një darkë mbrëmë ministrin e Jashtëm të Greqisë Niko Dendias”, shkroi Kurti në Twitter.
Theksojmë se një ditë më parë në vendin tonë për vizitë ishte ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ndërsa u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Në takim me ministrin Dendias, presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë, me shpresën që së shpejti do të formalizohet vendimi për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Greqia.
Ajo theksoi se Kosova dhe Greqia ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike, ndaj ka kërkuar mbështetjen greke për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe dhe NATO, si një garanci jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për rajonin.
Dendias, poashtu është takuar edhe me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Sipas njoftimit për media, në takimin zyrtar të dy delegacioneve, Dendias theksoi energjinë e re, pozitive dhe potencialin e Kosovës, për shkak edhe të moshës mesatare të ulët të popullsisë dhe reflektimit në politikat e Qeverisë, që mund të shërbejë si shembull edhe për Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi pohoi potencialin zhvillimor të Kosovës.
Bislimi e falënderoi shtetin e Greqisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Dendias tha se Ballkani Perëndimor i përket familjes evropiane dhe Greqia është e përkushtuar në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes ndaj rajonit.
Sipas njoftimit, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se rruga e duhur është ajo e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, ku Kosova është dhe do të mbetet e angazhuar maksimalisht në qasje konstruktive, përmes propozimeve dhe alternativave për të ecur drejt një marrëveshjeje të përhershme dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë./Insajderi.com