Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se konstituimi i institucioneve do të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, por që kjo varet edhe nga aspekti procedurial, transmeton Insajderi.
Kështu u shpreh ai pas takimit të zhvilluar gjatë mëngjesit të së dielës me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, Glauk Konjufcën, Donika Gërvallën dhe Saranda Bogujevcin.
“Sot u takuam (në këtë lokal) mëqenëse është e diel dhe në Kuvend të Kosovës nuk deshëm që t’i nxjerrim jashtë orarit kamarierët. Biseduam për procesin zgjedhor, biseduam për orarin drejt konstituimit të institucioneve. Ishim bashkë me presidenten, Vjosa Osmani dhe tashmë, deputeten e ardhshme, Donika Gërvalla dhe ishte një takim i këndshëm, i së dielës paradite. Urime Dita e Mësuesit”, ka deklaruar Kurti për T7.
“Gjithçka do të shkojë, sa më shpejt që të mundet nga ana jonë. Të vetmet kufizime janë ato që kanë të bëjnë me aspektin procedurial”, ka deklaruar kreu i VV’së.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, bashkë me iniciativën e Vjosa Osmanit, kanë fituar zgjedhjet e 14 shkurtit.
VV ka marrë 49.95 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës. /Insajderi.com