Kurti takohet me Petritsch, temë dialogu Kosovë-Serbi

Kurti takohet me Petritsch, temë dialogu Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidentin e Fondacionit Austriak të Planit Marshall, Wolfgang Petritsch, transmeton Insajderi.

Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për proceset dhe zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.

“Ndër të tjera, u shkëmbyen mendime për takimin e 15 qershorit në Bruksel për dialogun e ri ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe propozimet e kryeministrit Kurti. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një proces që garanton njohjen reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

“Kryeministri ritheksoi se takimi ishte takim për dialogun e ardhshëm i cili duhet të jetë i qartë e parimor, dhe dialog për statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, bëhet e ditur më tej.

Petritsch ka qenë i Dërguar i Posaçëm i BE për Kosovën në vitet 1998-1999 dhe kryenegociator i BE-së në Konferencën e Rambujesë. /Insajderi.com