Kurti takohet me Ramën në Bruksel: U takuam miqësisht e pa protokoll

Kurti takohet me Ramën në Bruksel: U takuam miqësisht e pa protokoll

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se gjatë vizitës së tij në Bruksel ka zhvilluar takim edhe me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama, njofton Insajderi.

Kurti thotë se ky takim me Ramën ishte miqësor dhe pa protokoll, ndërsa në bisedat e tyre ishin liderët vunë theksin mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit midis dy shteteve.

“Me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, para darkës, e për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona”, ka bërë të ditur Kurti me anë të një shkrimi në Facebook.

Në këtë postim, Kurti u deklarua edhe për takimet me Përfaqësuesit e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, Ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

“Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalur nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit, për të diskutuar rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritë ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe përtej e pas saj”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com