Kryeministri i vendit Albin Kurti ka një kohë që ka proklamuar takimet me serb të Kosovës. Këto takime janë intensifikuar kohëve të fundit, por deri më tani as Kurti e as zyra e tij e mediave, nuk ka ndarë asnjë informacion me publikun.
Këtë bllokadë, shefi i ekzekutivit e ka arsyetuar me rrezikun nga sulmet e serbëve të lidhur ngushtë me Beogradin.
Mirëpo, mes serbëve që ka takuar Kurti është edhe një person kontravers nga Serbia.
Fjala është për Boban Bogdanoviq, udhëheqës i Lëvizjes “Odgovor”.
Shqip.com ka arritur të sigurojë një fotografi ekskluzive, të papublikuar më herët nga takimi mes kryeministrit Kurti dhe Boban Bogdanoviqit, që me gjasë të madhe ka ndodhur mes datave 14 dhe 17 dhjetor të vitit 2022.
Pjesë e takimit, ashtu siç shihet, ishte edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq dhe drejtoresha politike e Lëvizjes “Odgovor”, Marija Iliq Paunoviq.
Territ informativ nga takimi i kryeministrit Kurti me politikanin dhe biznesmenin kontravers serb, Boban Bogdanoviq, nuk i kanë dhënë përgjigjje as pyetjeve që redaksia e Shqip.com, i ka nisur tek Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës.
Në seancën e 24 dhjetorit të vitit të kaluar, kryeministri u kishte thënë deputetëve se ai mban rregullisht takime me serbë.
“10 serbë të Kosovë që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje, por duhet ta kuptoni një gjë nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokal, unë nuk mund t’i mbrojë ende ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur dhe unë nuk kam arritur t’i mbrojë. Edhe serbët kur vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. 1 orë e gjysmë kemi diskutuar, por nuk duan të bëjnë fotografi sepse ju hakmerren. Rasti më eklantant ka qenë i ish-këshilltarit tim tek Kurti 1 që dha dorëheqje dy orë pas emërimit. Pra, duhet ta bëjmë dialogun, por nuk duhet ta publikojmë si të tillë këtë dialog”, kishte deklaruar kryeministri i vendit.
Pak detaje për këtë takim kishte dhënë Bogranoviq më 14 dhjetor të vitit të kaluar, kur ishte ndaluar nga autoritetet e Serbisë, në Merdare.
Bogdaniviq kishte deklaruar se ndalimi erdhi si pasojë e takimit që e kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kush është Boban Bogdanoviq?
Politikani serb, Boban Bogdanoviq është kryetar i Lëvizjes “Odgovor” me seli në Beograd. Në të kaluarën ishte anëtar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë që nga themelimi i saj dhe bashkëpunoi ngushtë me Sasha Jankoviqin.
Ai e përshkruan veten si biznesmen që zhvillon dhe shet kompani, duke mos e mohuar asnjëherë që është edhe person me ndikim në politikë.
Boban Bogdanoviq u bë i njohur për publikun kosovar në marsin e vitit të kaluar, pas një interviste të dhënë për portain KRIK, ku kishte pretenduar se është në dijeni se kush e kishte kryer vrasjen e politikanit serbët e Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Në atë intervistë, Bogdanoviq kishte thënë se informatat për personat e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, i kanë ardhur nga miku i tij i ngushtë, Aleksandar Gligorijeviq, i njohur me nofkën “Puke”, i dyshuar për aktivitete kriminale me ndikim nga grupi “Principi” i Veljko Belivukit, i cili pretendohet më pas se e ka paguar vrasësin e Ivanoviqit.
Bogdanoviq kishte thënë se një shok, me të cilin ka qenë miq që nga fëmijëria, i ka shpjeguar se në vrasjen e Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale. Këtu ka përmendur edhe të dyshuarin tjetër për aktivitete kriminale nga veriu i vendit, Zvonko Veselinoviq, i cili sipas pretendimeve të Bogdanoviq, ka urdhëruar vrasjen, ndërsa “Belivuk” ka siguruar vrasësin.
“Oliver Ivanoviq u vra nga Ljubomir Lainoviq, djali i Branislav Lainoviq, një djalë dikur i egër nga Novi Sadi. Njeriu që organizoi ardhjen e tij në Kosovë dhe përgatiti logjistikën është Milan Radoiçiq. Njeriu që ka dhënë urdhrin është Veselinoviq. Kështu më tha Aleksandar Gligorijeviq. Lainoviq i ka thënë se (Zvonko) Veselinoviqi ka kërkuar një nder nga klani, i kanë dhënë një atentator, atentatori ka marrë 50 mijë euro, ka kryer vrasjen dhe pas kësaj djali, me sa më kujtohet, shkon në Spanjë ose në Athinë të kryejë më shumë një apo dy apo më shumë vrasje dhe në fund të gjitha i paguan, sigurisht me kokën e tij, sepse duhet të heqësh provat”, kishte thënë Bogdanoviq në intervistën për mediumin serb KRIK.
Deklarimet e Boban Bogdanoviqin kishin shkaktuar fortunë në politikën serbe. Ministri i atëhershëm i Brendshëm, Aleksandar Vulin kishte njoftuar se policia ka hapur procedurë ndaj Bogdanoviqit dhe të njëjtin do ta ftoj për deklarim.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë kishte shprehur keqardhje që Bogdanoviq nuk ka paraqitur ndonjë fakt të ri dhe as nuk ka konfirmuar ndonjë nga pretendimet e tij, as me prova materiale, e as me deklarata të dëshmitarëve.
Rreth një muaj më vonë, Bogdanoviq u kishte thënë mediave se është kërcënuar pas deklarimeve rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke kërkuar mbrojtje nga policia. Më 20 prill të vitit të kaluar, Bogdanoviq ka njoftuar se ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Serbisë rreth pretendimeve të tij për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. I njëjti kishte dhënë deklaratë edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Bogdanoviq e ka pranuar edhe publikisht që në të kaluarën ka qenë i afërt me organizatën e dyshuar kriminale “Principi” të udhëhequr nga Veljko Belivuk.
Kush është grupi “Principi” i Veljko Belivuk?
Në Serbi ky grup është i njohur për aktivitete të shumta kriminale. Në shkurtin e vitit 2021, kreu i këtij grupi Veljkjo Belivuk ishte arrestuar nga policia gjatë një aksioni të madh policor, që përfshinte shumë qytete e lokacione, mes tyre edhe stadiumin e klubit “Partizani”, ku kishin të ndërtuar një bunker. Gjatë asaj kohe policia dhe BIA serbe siguruan prova të shumta, ndër të cilat janë ekzekutimi dhe planifikimi i vrasjeve, torturimi i viktimave.
Kaq sa i përket figurës politike e kontraverse të Boban Bogdanoviqit.
Nëse kthehemi në kohë, gjatë kohës së fushatës zgjedhore, njëra ndër frazat më të zakonshme të kryeministrit të tanishëm, Albin Kurti, ishte se pas marrjes së mandatit do të zhvillojë bisedime me serbët lokalë të Kosovës.
Për më tepër, i pari i ekzekutivit, e preferonte frazën “dialog me serbët e Kosovës, në sistemin nga poshtë-lartë”, duke theksuar se qytetarët e thjeshtë serb do të jenë prioritet në mandatin e tij.
Deri sot, ajo se çfarë është transmetuar në publik, tregon për takimet e kryeministrit Kurti me liderë të partive politike serbe, ndryshe nga ajo se çfarë kishte proklamuar ndër vite.
Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, në vazhdimësi ia kishtë përmendur Ramush Haradinajt, dy takimet që i kishte pasur me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojiçiq, e sidomos atë se kur i kishte hapur dyert e zyrës së tij si kryeministër, pët të pritur në Qeveri, atë që siç njihet “shefi i nëntokës” në veri.
Nuk dihet se a ka pasur informacione kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për të kaluarën e Boban Bogdanoviqit dhe Marija Iliq Pauvloqiv, por pritja miqësore në zyrën e tij (ashtu siç transmetohet nga fotografia e publikuar), nuk dallon shumë nga ajo e Haradinajt ndaj Radojiçiq.