Kurti takoi ish-ministrin për fajin e të cilit u suspenduan policët që i shqiptuan gjobë

Kurti takoi ish-ministrin për fajin e të cilit u suspenduan policët që i shqiptuan gjobë

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretendenti kryesor për kryeministër të Kosovës, është takuar sot me ministrin në largim të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Rasim Demirin. Kurti, e ka lartësuar Demirin dhe koalicionin VAKAT, e po ashtu ka përmendur edhe sfidat që do t’i ketë qeveria e re.

Ky ishte mandati i dytë i Demiri, si ministër pasi që, ai në vitin 2014 ishte ministër pa Portofol në Qeverinë e Kosovës. Asokohe, Demiri, doli të jetë një ministër ‘problematik’. Në këtë rrafsh kujtojmë rastin kur më 13 korrik të vitit 2014-të, kishte parkuar veturën në një vend të ndaluar në Prizren, dhe kjo shkelje e rregullave të komunikacionit, ministrit të asokohshëm i kushtoi me dënim, shkruan Gazeta Insajderi.

Por, ministri ‘problematik’ Rasim Demiri, i cili në zgjedhjet e kaluara doli të jetë deputeti më i votuar i boshnjakëve, ishte ankuar ndaj dy policëve (të cilët e dënuan pasi që, ai shkeli ligjin) duke pohuar se policët kanë pasur sjellje të pahijshme.

E një gjë e tillë sipas policisë regjionale të Prizrenit, ishte konkluduar se dy policët kishin bërë shkelje të rënda disiplinore dhe i kishte suspenduar.

Kjo gjë zgjati gati një vit, dhe Inspektorati i Policisë kishte trajtuar rastin dhe kishte konkluduar se nuk ka argumente të mjaftueshme që dy policët kanë pasur sjellje jo të hijshme në raport me ministrin Demiri. / Insajderi.com