Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë Forumit të Prespës ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rajonit dhe përfaqësues të lartë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët ka diskutuar edhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, njofton Insajderi.
Ai në këtë forum takoi ndihmës-sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, Përfaqësuesin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, si dhe ndërmjetësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai gjatë Forumit të Prespës ka dhënë një propozim se si rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian, përmes një marrëveshje dhe marrëdhënie të re, të tillë çfarë e kanë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
“Ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm për paqen dhe pajtimin në Ballkan”, ka deklaruar ai.
“Gjatë ditës, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kryeministri Kurti u takua me Ndihmëssekretarin e shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, z. Philip Reeker dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, z. Matthew Palmer”, njofton Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla janë takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me të cilin kanë diskutuar për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe nisjen e procesit të ri të dialogut. Po ashtu, kryeministri Kurti pati takim të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti si dhe nënkryetare e BDI-së, Teuta Arifi”, thuhet më tej në njoftim. /Insajderi.com