Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, njofton Insajderi.com.
Ky takim midis Kurtit dhe Michel është mbajtur në Bled të Sllovenisë ku po mbahet edhe Forumi Strategjik.
Me këtë rast, kryeministri Kurti i tha Michelit se qytetarët e Kosovës po mbahen peng, duke u privuar nga lëvizja e lirë brenda BE-së.
“Hezitimet politike të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, po mbajnë peng qytetarët e Kosovës, duke i privuar nga lëvizja e lirë brenda BE-së, tha kryeministri Kurti.
Ai shprehu keqardhje edhe për faktin se marrëveshja e MSA-së, e nënshkruar ndërmjet BE -së dhe Kosovës, nuk po i jep efektet e dëshiruara, meqenëse për shkak të kufizimit të vizave, është e pamundur që bizneset kosovare të lëvizin lirshëm brenda BE-së.
Kryeministri përsëriti qëndrimin se Kosova do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe asnjë nismë tjetër e cila do të rrezikojë integrimin e saj në BE, apo nisma që janë vlerësuar si konkurrencë e pashëndetshme për integrimin evropian.
Në këtë takim, u bisedua po ashtu për dialogun me Serbinë, takimet e kaluara të mbajtura në Bruksel dhe përgatitjet për takimin e radhës. Po ashtu, u diskutua për sfidën e përbashkët me pandeminë COVID-19 dhe nevojën për përkrahje në përballimin e vështirësive të shkaktuara nga kjo krizë globale. /Insajderi.com