Kurti takon Von Cramon: Serbia duhet të tregojë për vendndodhjen e varrezave masive

Kurti takon Von Cramon: Serbia duhet të tregojë për vendndodhjen e varrezave masive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Raportusen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, njofton Insajderi.

Siç njoftohet nga Zyra e Kryeministrit, takimi nisi me bisedën për rëndësinë e tranzicionit në energji të pastër dhe për mbrojtjen e lumenjve.

Von Cramon tha se e çmon angazhimin e kryeministrit dhe të Qeverisë për përkrahjen e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti ka folur për nevojën e një raporti fizibiliteti në fushën e energjisë dhe ka shkruar se është mirë të ketë një konsensus shoqëror e politik, para se të vendoset për këtë çështje kapitale që prek jetën e brezave të ardhshëm.

“Diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe katër propozimet e paraqitura nga kryeministri Kurti. Lidhur me çështjen e të pagjeturve, kryeministri ritheksoi se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen edhe të varrezave të tjera që dyshohet se janë në Serbi. Kryeministri Kurti dhe von Cramon u pajtuan se dialogu i ri për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces konstruktiv dhe i qartë, nga i cili përfitojnë qytetarët”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com