Kurti thirrje mërgatës shqiptare të Maqedonisë Veriore për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë

Kurti thirrje mërgatës shqiptare të Maqedonisë Veriore për pjesëmarrje në regjistrimin e popullsisë

Lideri I Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në këtë vend, njofton Insajderi.

Këtë kërkesë Kurti e shtroi me anë të një videoje të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ku tha se kjo është hera e parë që mërgata mund të regjistrohet pa pasur nevojë të vijë në vendlindje.

“Në Maqedoninë e Veriut ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë. Për herë të parë mërgata jonë ka mundësi që procesin e regjistrimit ta zhvillojë nga vendi ku jeton, pa qenë e detyruar si deri më tani që të marrë gjithë atë rrugë e të vijë në vendlindje për t’u regjistruar”, tha ai.

Sipas tij ndihma të cilën japinë mërgimtarët është jetike, andaj ky fakt e bën mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut të jetë më aktive se ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë.

“Shqiptarët janë një popull i lidhur për vendin, për truallin, për shtëpinë e për pronën e vet. Nga të dhënat zyrtare të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, remitancat e mërgatës arrijnë deri në 2 miliardë euro në vit. Ne e dimë se shumica dërrmuese e këtyre parave vijnë nga mërgata shqiptare për shkak të diskriminimit institucional dhe ekonomik që është ushtruar ndaj shqiptarëve atje. Ndihma e familjarëve që jetojnë jashtë shtetit është jetike. Ky fakt e bën mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut të jetë më aktive edhe se ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë”, u shpreh Kurti.

Kurti po ashtu bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do t’i vendosë qendrat në shërbim të mërgatës për të asistuar ata në procesin e regjistrimit në internet.

“Lëvizja jonë fitoi me një pjesëmarrje të fuqishme dhe të mrekullueshme të mërgatës. Duhet të krijojmë të njëjtin entuziazëm. Nga ana jonë, ne do të vendosim qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje të mërgatës në shërbim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të asistuar ata në procesin e regjistrimit në internet”, shtoi Kurti.

Proces i regjistrimit të mërgatës në Maqedoni të Veriut ka filluar më 3 mars dhe do të përfundojë më 21 prill. /Insajderi.com