Kurti thotë se komunikon çdo ditë me Grenellin: ShBA-të janë të pazëvendësueshëm për ne

Kurti thotë se komunikon çdo ditë me Grenellin: ShBA-të janë të pazëvendësueshëm për ne

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se mban kontakte të përditshme me të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ndonëse mediat kanë raportuar për prishje të raporteve ndërmjet tyre.

Në konferencën për shtyp të enjten, ku lajmëroi heqjen e taksës për produktet e lëndës së parë të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, kryeministri Kurti deklaroi se ka dallime me Grenellin, por komunikimin me të, tha se e ka të përditshëm.

“Kemi dallime por dialogun dhe komunikimin nuk e kemi ndalur asnjëherë. SHBA-të janë të pazëvendësueshme për neve. Janë partner që nuk mund të zëvendësohen. Unë nuk mendoj, siç ka menduar dikush tjetër, se do të kemi partner më të mirë se Amerika”, tha Kurti.

“Unë i mbajë dhe i mirëmbajë marrëdhëniet me ta. Por, ta keni parasysh se unë ndërkombëtar nuk bëhem dot, unë jam shqiptar”, u shpreh kryeministri.

Qeveria e Kosovës mori sot vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.