"Qeveria Koti e ka edhe marrëveshjen me qeverinë serbe, edhe varet jo vetëm nga Lista Serbe, por edhe nga secili deputet i Listës Serbe".
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar ne një intervistë për KosovaPress se s’është e nevojshme të thuash shumë për ta përshkruar Qeverinë e Avdullah Hotit, njofton Insajderi.
“Kur ne themi se këtë qeverinë aktuale e konsiderojmë si qeveri Koti dhe të paligjshme ne kemi thënë krejt çka është e nevojshme të thuhet për këtë qeveri , çdo gjë tjetër mund të jetë veçse përsëritje, nuk e kanë as legjitimitetin as kredibilitetin”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka ripërsëritur megjithatë kërkesën për zgjedhje të reja dhe atë sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Kemi nevojë për zgjedhje të reja në mënyrë që të dalim me Kuvendin të ri dhe të kemi rikthim të qeverisjes së mirë e cila në këta katër muaj e ka ndalur edhe gjakderdhjen financiare e ka zvogëluar vetën, i ka ulur pagat vetvetes edhe e ka forcuar shtetin”.
“Por, për këtë gjë pas peticionit natyrisht duhet të vijë realizimi i këtij vullneti të qytetarëve për një freskim të legjitimitetin institucional”.
Lideri i Vetëvendosjes ka shtuar se qeveria aktuale ka marrëveshje me Beogradin dhe se qëndron në varësi të plotë nga Lista Serbe.
“Tash qartazi janë duke e pritur Serbinë sepse ajo i ka zgjedhjet dhe do ketë edhe qeveri të re, sepse e kanë Serbinë brenda në mënyrë vendimmarrëse. Qeveria Koti e ka edhe marrëveshjen me qeverinë serbe, edhe varet jo vetëm nga Lista Serbe por edhe nga secili deputet i Listës Serbe. Deputeti i Listës Serbe as për së afërmi nuk ka vendimmarrje në Listën Serbe sa ka vendimmarrje në qeverinë e Kosovës. Një deputet të Listës Serbe po ia hoqe kësaj qeveria kolapson ndonëse nuk mund të thuash se qëndron edhe ashtu”.