Kryeministri Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të cilët nuk i kanë të regjistruara veturat e tyre me targat RKS, që ta bëjnë atë sa më shpejt.
“Thirrje qytetarëve të Republikës që targat ilegale t’i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos.
I pari i Qeverisë, përmes një video-adresimi në “Facebook”, ka thënë se veturat që do të regjistrohen, nuk do të kenë nevojë të hyjnë nëpër procedura të doganës dhe nuk do të kërkohet kontrollimi teknik gjatë regjistrimit të parë.
Duke folur në gjuhën serbe, Kurti ka komunikuar edhe vendimin e fundit të qeverisë për reciprocitet ndaj Serbisë me targa dhe letërnjoftime.
Kurti njoftoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzim administrativ që do t’i rregulloj detajet për çdo hap ndaj regjistrimit dhe se siç tha ai, procedurat burokratike nuk do të jenë pengesë ndaj regjistrimit.
“Procesi i regjistrimi ka rëndësi të madhe dhe si i tillë është në të mirë të të gjithë neve. Ju do regjistroni veturat në bazë të procedurave të lehta dhe me lëshime të lejuara, sipas rregullave dhe ligjit, kurse ne do të vendosim barazinë të cilën e synojmë të gjithë në çdo segment”.
“Ky është lëshim i madh, marrë parasysh që pagesa e shumave të mbledhura në doganë do të ishte 5 mijë euro vetëm për një automjet. Gjithashtu, gjatë regjistrimit të parë nuk do të kërkohet kontrolli teknik, kurse komunat mund të vendosin të mos kërkojnë pagesën prej 10 eurove në bazë të taksës komunale”, tha Kurti.
Theksojmë se Qeveria e Kosovës më 29 qershor ka marrë vendim të mundësojë regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga Serbia.
Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022.
Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe kushtonin pesë euro.
Ky reciprocitet më pas nxiti protesta dhe bllokada nga serbët lokalë, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme për targat.
Më 21 prill kishte përfunduar marrëveshja e përkohshme e targave./Insajderi.com