Kurti udhëton në Vjenë, merr pjesë në konferencën e Ballkanit Perëndimor, e pranishme edhe Bërnabiq

Kurti udhëton në Vjenë, merr pjesë në konferencën e Ballkanit Perëndimor, e pranishme edhe Bërnabiq

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencën e Ballkanit Perëndimor që do të organizohet nga Kancelari austriak Sebastian Kurz, shkruan Insajderi.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Po, kryeministri Kurti, do të merr pjesë në Samitin e Vjenës për Ballkanin Përendimor”, ka deklaruar ai.

Në këtë konferencë do të merr pjesë edhe emisari special i Bashkimit Evropian  për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Lajmin për mbajtjen e Samitit të Ballkanit Perëndimor e ka konfirmuar edhe vetë kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Kancelari austriak Sebastian Kurz do të mirëpresë udhëheqësit e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për riatdhesimin e migrantëve ilegalë dhe perspektivën e anëtarësimit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të zotuara që të luftojnë bashkë migracionin ilegal, ka thënë Kurz para takimit në Vjenë.

Kurz ka shkruar se Evropa s’mund të jetë e plotë pa qenë pjesë e saj vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë të plotë në luftimin e reformave të kërkuara dhe luftimin e pandemisë COVID-19. Këtë do ta theksojmë edhe sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar kancelari austriak në ‘ Twitter’./Insajderi.com