Kurti: Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar

Kurti: Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar

“Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar”.

Kështu është shprehur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij në 9-mujorin e marrjes së detyrës së Qeverisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se do të bëjnë gjithçka që munden dhe dijnë në mënyrë që të tejkalohet sa më shpejt kriza energjetike.

“Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë. Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj”, u shpreh Kurti.

Tutje, kryeministri teksa tregoi për vendimet e Qeverisë gjatë kësaj periudhe, përmendi edhe ndarjen e katër milionë e 500 mijë eurove mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

“Për të mundësuar operimet pa pengesa, miratuam kërkesën e KOSTT-it për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë likuditetin e nevojshëm. Ndamë 3.000.000€ mbështetje për shëndetësinë, për të mbuluar obligimet në kuadër të fondit për trajtim jashtë institucioneve publike.

Mbështetje shtesë për arsimin, më 4.110.000€ të ndara për mbulimin e obligimeve për librat në shkollat fillore dhe 86.243€, për pagesën e obligimeve për zhvillimin e mësimit online në kohë pandemie”, shkroi ndër tjerash Kurti./Insajderi.com