Kurti uron Pashkët duke cituar rilindasit: Me dashuri për njëri-tjetrin, për atdheun dhe gjuhën tonë

Kurti uron Pashkët duke cituar rilindasit: Me dashuri për njëri-tjetrin, për atdheun dhe gjuhën tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar festën e Pashkëve për të gjithë besimtarët ortodoksë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti këtë urim e bëri duke cituar rilindasit shqiptarë.

“Për shumë mote Pashkët! Sot, besimtarët ortodoksë, dhe midis tyre dhe bashkëatdhetarët tanë, kremtojnë Pashkët. Ju uroj atyre Pashkë të gëzuara!”, është shprehur Kurti, transmeton KlanKosova.tv.

“Për çdo vit, në pranverë, për plot dy mijëvjeçarë besimtarët kumtojnë me dashuri dhe bindje se sakrifica triumfon mbi egoizmin, se zemërgjerësia i kapërcen mëritë, se drita e mund errësirën, se jeta ngadhnjen mbi vdekjen. Triumfofshin dhe midis nesh! Ky kumt thërret për punë, vetëmohim e disciplinë”.

“Siç na kanë thënë e udhëzuar rilindasit tanë deri te më i fundmi i tyre At Fan Stilian Noli: me dashuri për njëri-tjetrin, për atdheun dhe gjuhën tone. Për shumë mote Pashkët!”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com