Kurti: Ushtria e Kosovës për herë të parë po kryen stërvitje të udhëhequra nga ajo amerikane

Kurti: Ushtria e Kosovës për herë të parë po kryen stërvitje të udhëhequra nga ajo amerikane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për ushtrimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të udhëhequra nga Ushtria Amerikane.

Ai ka thënë se FSK-ja për herë të parë po kryen stërvitjet e përbashkëta me Ushtrinë Amerikane në territorin e saj, njofton Insajderi.

Në një postim në Twitter, shefi i ekzekutivit është shprehur se trupat e Ushtrisë së Kosovës po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm.

“Për herë të parë Kosova po kryen një stërvitje të udhëhequr nga Ushtria Amerikane në territorin e saj. Trupat tanë po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm në ushtrime të ndryshme si pjesë e Defender 21 në Kosovë, Kroaci dhe Shqipëri”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar të martën se po vazhdojnë me sukses operacionet trajnuese krah për krah me forcat amerikane, në kuadër të stërvitjes ‘’DEFENDER-Europe 21’’.

“Po vazhdojnë me sukses operacionet trajnuese krah për krah me forcat Amerikane, në kuadër të stërvitjes ‘’DEFENDER-Europe 21’’. Kosova dhe forcat e saj dëshmojnë fuqishëm partneritetin e ngushtë dhe të përhershëm me SHBA-në dhe forcat e saj si dhe gatishmërinë e plotë për të kontribuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Rruga jonë është drejt NATO-s”, ka shkruar Mehaj në Facebook./Insajderi.com