Kurti – vendeve të QUINT-it për reciprocitetin e targave: Për Kosovën dhe Serbinë vlen standardi i njëjtë

Kurti – vendeve të QUINT-it për reciprocitetin e targave: Për Kosovën dhe Serbinë vlen standardi i njëjtë

Te ky reciprociteti i targave të përkohshme për vetura ose Kosova ose Serbia kanë të dyja të drejtë, ose të dyja e kanë gabim, pra ose do t’i mbajmë ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njofton Insajderi.com.

Këto deklarata ai i bëri në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, teksa shtoi se vendimi për reciprocitetin e targave me Serbinë nuk është provokim as diskriminim ndaj askujt.

“Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas tij, ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, duke theksuar se njësitë speciale janë në pikat kufitare vetëm për ta mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, Kurti në këtë takim ka njoftuar ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmjen e së hënës me Zëvendsë presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell.

Tutje, në këtë takim ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se policët e Kosovës janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

“Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministry”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ndryshe, Kurti priti në takim ambasadorët e vendeve të QUIN-it, shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadortin e Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog./Insajderi.com