Kurti: Vendimi për Mladiq – kujtesë se mohimi i krimeve në Kosovë duhet të marrë fund

Kurti: Vendimi për Mladiq – kujtesë se mohimi i krimeve në Kosovë duhet të marrë fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për burgim të përjetshëm ndaj Ratko Mladiqit, i njohur si “Kasapi i Bosnjës” gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, Kurti tha se vendimi është një kujtesë se mohimi serb i krimeve të kaluara në Kosovë duhet të marrë fund.

Ai madje përmendi edhe faktin se Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero.

“Krimineli famëkeq i luftës, Ratko Mlladiq, i njohur si ‘kasapi i Bosnjës dhe Hercegovinës’, dënohet me burgim të përjetshëm për gjenocid. Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero. Por ky vendim është një kujtesë se mohimi serb i krimeve të së kaluarës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti.

Gjatë ditës së sotme, Tribunali i Hagës ka rikonfirmuar burgimin e përjetshëm ndaj kriminelit serb, Ratko Mladiq, për krimet e kryera mbi popullsinë civile në Srebrenicë ku u vranë mbi tetë mijë civilë gjatë luftës në Bosnjë. /Insajderi.com