Kurti: Vettingu do të eliminojë mungesën e qasjes së qytetarëve në drejtësi

Kurti: Vettingu do të eliminojë mungesën e qasjes së qytetarëve në drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë Vettingu do të eliminojë mungesën e qasjes së qytetarëve në drejtësi.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë një takimi që kishte me grupin punues për hartimin dhe finalizimin e procesit të Vettingut.

“Pas miratimit të koncept-dokumentit për Vettingun, sot e hapim takimin e parë të grupit punues të ngarkuar me hartimin e amendamenteve kushtetuese si një hap tutje drejt realizimit të reformës së domosdoshme në dobi të drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

“Padyshim se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi  i ligjit dhe drejtësia efikase. Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënies, e me drejtësi selektive dhe të pabarabartë, mungesa e besimit të qytetarëve në sistemimin gjyqësor dhe prokuroria vazhdon ta karakterizojë sistemin e drejtësisë”, tha Kurti.

“Diskutimet lidhur me nevojën për reformën në drejtësi janë prapa nesh, tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin apo jo, kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi sepse na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjikë”.

Foto ilustruese

“Duhet përqendruar në hapa të atillë që kanë për qëllim të fundit, sigurimin e prokurorisë efikase,  gjyqësorin e drejtë dhe së fundmi fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor”.

Po ashtu ka thënë se  Vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të perfomancës dhe të profesionalizimit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e tyre.

“Në mungesë të sistemit të tillë që karakterziohet me efikasitet,  transparencë, llogaridhënie  dhe besim, nuk mund të flitet për drejtësi, në mungesë të drejtësisë shoqëria jonë rrezikohet me sakrifikim jo vetëm sundimit të ligjit por edhe vlerave themelore të një shoqërie demokratike”.

“Përgjigja ndaj defekteve e dështimeve të tilla për drejtësinë është Vettingu, Vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve,të performancës dhe të profesionalizimit të tyre dhe do të verifikojë pasurinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve”, tha kryeministri. /Insajderi.com