Kurti viziton familjen e 16 të masakruarve në luftën e vitit 1999

Kurti viziton familjen e 16 të masakruarve në luftën e vitit 1999

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vizituar familjen Bogujevci nga Podujeva.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për dallim nga kjo masakër, që kryerësit e janë janë dënuar, nga të cilët 4 me 20 vjet burgim, dhe njëri me 15, ai shtoi se ushtarët serb që luftuan në Kosovë, ende nuk e kanë marrur dënimin e merituar për krimet e tjera që kanë ndodhur në Kosovë.

Kësaj familje gjatë periudhës së vitit 1999, u ishin masakruar 16 persona, nga 21 sa i kishte kjo familje.

E mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci, tashmë është deputete e Kuvendit, pikërisht nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Postimi i Kurtit.

Vizitë në familjen Bogujevci, në përkujtim të 19 vjetorit të masakrës

Sot vizituam familjen Bogujevci në Besianë, bashkë me deputetët Arbërie Nagavci dhe Xhelal Sveçla. 19 vjet më parë njësitet rezervë të Policisë së Serbisë kryen një masakër të tmerrshme ndaj kësaj familjeje, duke vrarë 16 anëtarë nga 21 që ishin në atë kohë bashkë në një shtëpi. Në mesin e të mbijetuarve ishte edhe Saranda Bogujevci, tash deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës e më herët Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Prishtinës.

Masakra në familjen Bogujevci është kryer më 28 mars 1999, pikërisht në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë me të cilën Kosovës iu pat suprimuar autonomia.

Procesi gjyqësor në rastin e familjes Bogujevci kundër Sasha Cvjetan dhe të tjerëve ka bërë që të zbulohet edhe videokaseta e famshme e ekzekutimit të disa të rinjve në Srebrenicë nga forcat serbe. Sepse vrasësit e familjes Bogujevci kishin vrarë më parë edhe në Bosnjë.

Pesë serbë janë dënuar në Serbi për këtë krim, katër prej tyre me 20 vjet burg ndërkaq njëri me 15 vjet burg.

Përveç këtij rasti, vetëm një rast tjetër masakre, ai i familjes Berisha nga Theranda, është trajtuar deri më tash nga Gjykatat në Serbi. Por në luftën e Kosovës janë vrarë rreth 10 mijë civilë të paarmatosur. Vetëm në varrezat në Batajnicë afër Beogradit janë zbuluar 836 kufoma shqiptarësh. Gjykata Speciale për krimin e organizuar dhe krimet e luftës në Serbi u pat formuar më 1 korrik 2013, më shumë për shkak të vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiqit, sesa për të zbuluar e për të dënuar vrasësit e rreth 160 mijë joserbëve në katër luftërat në ish Jugosllavi. Nga kjo gjykatë kanë përfunduar prapa grilave gjithsej rreth 160 kriminelë serbë, a thua se secili prej tyre kishte vrarë i vetëm nga 1.000 veta, pa llogaritur dhunimet, torturat, e shkatërrimet e pronës materiale.