Kurtit i dorëzohet flamuri i SHBA-së, që u ngrit në nderim të tij në kampin Film City

Kurtit i dorëzohet flamuri i SHBA-së, që u ngrit në nderim të tij në kampin Film City

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij, Shefin e Stafit të KFOR-it, Gjeneral Brigadierin e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Larry Henry, në përmbyllje të shërbimit të tij në vend, njofton Insajderi.

Gjeneral Brigadieri Henry, i dorëzoi Kryeministrit flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur më 8 nëntor, në nderim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Njësitin mbështetës të SHBA-së, në Film City në Prishtinë.

“Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave në luftë me forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës”, thuhet në përshkrimin me të cilin shoqërohet ky flamur.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin e Gjeneral Brigadierit Henry gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ruajtjen e sigurisë në Republikën e Kosovës. /Insajderi.com