“Kurtit i duhet vizion strategjik për të nxjerrë Kosovën nga statusi aktual”

“Kurtit i duhet vizion strategjik për të nxjerrë Kosovën nga statusi aktual”

“Ky është moment i ri i ndërtimit të raporteve të Kosovës me fuqitë e Mëdha”.

Kështu e quajnë analistët ardhjen në pushtet të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në krye të Qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti.

Analisti Selim Ibrahimi, thekson se ardhja e dytë e Albin Kurtit në krye të ekzekutivit është një momenti i ri në politikën kosovare, ballkanike dhe atë të rindërtimit të raporteve të reja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashikimin Evropian dhe shtetet tjera të rëndësishme për Kosovën.

“Qeveria Kurti 2 tashmë e ka ripozocionuar veten në raport me Serbinë, Uashingtonini dhe Brukselin si lëvizje që do ta ndihmojnë Kosovën në rrugën transatlantike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Tashmë Uashingtoni e ka të qartë se qeveria e re nuk është e njëjta si të parat dhe këtu kërkohet qasje më serioze nga amerikanët për sa i përket kërkesave të Kosovës me Serbinë dhe të ardhmen e vendit. Megjithatë nuk është e lehtë për Kurtin të zhvillojë politikë të jashtme aq të suksesshme në kohë të pandemisë e cila ndeshet me kufizime në burime dhe kuadër profesional për të naviguar në kancelaritë botërore dhe organizatat ndërkombëtare”, thotë Ibrahimi për Insajder-in.

Më tej, ai shton se Albin Kurtit i duhen figura me integritet që të stabilizojnë rolin e Kosovës në raportet ndërkombëtare dhe të përmbyllë me sukses përballjen me Serbinë.

“Kurti për të përballuar Serbinë dhe Rusinë do t’i duhen njerëz dhe figura të forta si dhe me përvojë për të stabilizuar Kosovën në skenën rajonale për të përfunduar me sukses përballjen me Serbinë. Kurti nuk duhet të fokusohet vetëm në rrethet e ngushta të Prishtinës për kuadro që do ta ndërtojnë diplomacinë kosovare. Atij i nevojitet një vizion strategjik modern për të nxjerrë Kosovën nga statusi aktual, pa këtë vizioni ai do ta ketë të vështirë që të zbërthejë kërkesat nacionale kosovare në Uashington dhe Berllin”, sqaron analisti Selim Ibrahimi.

Njohësi i rrethanave gjeostrategjike Selim Ibrahimi, shprehet për Insajder-in se Kurti duhet të rishikojë raportet me Rusinë ose të bëjë lobim në Moskë për të ndikuar në qëndrimin rus në OKB, kurse në Uashington lobimi duhet forcuar për të lëvizur çështjet  e hapura.

Sipas tij, pas konstituimit të institucioneve të Kosovës, nuk duhet që të humbet kohë dhe lidershipi i ri duhet të fokusohet në arenën ndërkombëtare që Kosova të jetë në qendër të vëmendjes të diplomacive botërore sidomos me vendet e fuqishme./Insajderi.com