Dialogu është proces i pakapërcyeshëm për zgjidhjen e problemeve Kosovë-Serbi dhe qartësimi i qëndrimeve nga ana e Qeverisë Kurti, është më se i nevojshëm sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), thotë se takimi i 15 qershorit Kurti-Vuçiq është lajm i mirë sepse dialogu është i domosdoshëm për të afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Madje sipas tij, kjo do të ndikojë sidomos për ta avancuar për anëtarësim të mundshëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe për të përshpejtuar perspektivën evropiane.
“Nuk e kemi një rezultat të matshëm në kuptimin që përpos takimit që ishte lajm i mirë në vetvete pasi që pas një kohe të gjatë Kosova dhe Serbia u rikthyen në tavolinën e diskutimeve dhe kjo është një hap i mirë pasiqë kemi parë që dialogu është i pakapërcyeshme për të zgjidhur problemin Kosovë-Serbi dhe për të afirmuar Kosovën në arenën ndërkombëtare sidomos për ta avancuar për një anëtarësim të mundshëm në OKB si dhe për të hapur perspektiven evropiane”, shprehet ai për EO.
Sipas Fetahut, takimi ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe u karakterizua me mospajtime e qëndrime të kundërta.
Ai thotë se e ardhmja e dialogut duket mjaft e paqartë dhe se pritet që edhe në negociatat tjera të ketë një tempo me tension ndërmjet të dy palëve.
Ndërsa, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pohon se BE-ja e ka mirëpritur takimin e 15 qershor në Bruksel në kuptimin e asaj që pati një takim dhe u dakorduan për një tjetër.
Sipas Krasniqit, kryeministri Kurti duhet të ofrojë më shumë sqarime e shpjegime për strategjinë e vazhdimit të këtij dialogu.
Gjithashtu Krasniqi ka shprehur mendimin se para takimit të radhës priten komunikime tjera ndërmjet Kosovës e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak në shërbim të parapërgatitjes për negociata.
“Takimi i radhës pritet me25 korrik siç u tha, ky takim ishte aty ku dyja palët shprehën qëndrime të tyre por nuk kishte një dakordim. Mund të presim që deri më 25 korrik të ketë një presion apo tentativa nga Bashkimi Evropian, nga emisari Lajçak që të përafrojë agjendën apo të ndërtoj një agjendë ku të dyja palët mund të kenë ndonjë qëndrim të përbashkët”.
“Është më së e qartë se nuk mund të flasim për takime të njëpasnjëshme ku palët shprehin qëndrimet e tyre por ato janë shumë të kundërta. Mund të presim që mund të ketë sërish vizita nga zori Lajçak apo komunikime edhe nëse jo fizike me zyrën qoftë të kryeministrit Kurti apo edhe të presidentit Vuçiq për të parapërgatitur takimin”, pëfundon Krasniqi./Insajderi.com