Kusari-Lila arsyetohet për shprehjen “gratë e këqija”: “fatkeqësisht më ka mbetur në fjalor”

Mimoza Kusari-Lila e ka fajësuar mentalitetin ku është rritur për shkarjen e saj kur ofendoi gratë, duke e quajtur sjelljen e Avdullah Hotit si sjellje të një “guraje të keqe”. Megjithatë, Kusari-Lila përmes një statusi në Facebook e pranon se ka gabuar, se nuk duhej ta përdoret atë fjalë. Insiston se ajo në jetën dhe veprimtarinë e saj ka bërë të kundërtën. Ka luftuar dhe mbrojtur gratë.

Kusari-Lila arsyetohet për shprehjen “gratë e këqija”: “fatkeqësisht më ka mbetur në fjalor”

Kur Mimoza Kusari-Lila, e karakterizoi sjelljen e kryeministrit, Avdullah Hoti, si sjellje e “grave të këqija”, ajo nuk ka dashur t’i ofendojë gratë, por ta përshkruajë sjelljen tinëzare të Hotit.

Kështu është arsyetuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, me anë të një statusi të gjatë, e pranon se megjithatë shprehja është krejtësisht e gabuar dhe se i ka mbetur në fjalor meqë është rritur në një mentalitet “që paragjykon dhe atribuon ligësinë dhe fjalët anash vetëm grave”.

Kusari ishte në emisionin “DPT te Fidani” në Televizionin 7, kur, duke përshkruar “sjelljen e Avdullah Hotit kur lëshon fjalë anash dhe del nga salla për të mos dëgjuar kritikat ndaj tij”, ajo tha se kjo karakterizohet “me shprehjen pezhorative ‘Gra të kqija’”.

“Unë mbetem e bindur se sjellja e Avdullah Hotit i cili ofendon deputet pa mikrofon dhe lëshon fjalë anash është sjellje e ligë dhe as për së afërmi nuk i shkon një posti që ai pretendoi ta mbajë”, insiston Kusari-Lila, megjithatë me një pendesë.

“Se që kam gabuar që e kam përdor pa vetëdije dhe pa qëllim për të rënduar gratë e pranoj dhe kërkoj falje”.

Por, ish-kryetarja e komunës së Gjakovës refuzon të portretizohet si dikush që është kundër grave, madje ajo shprehet se është krejt e kundërta.

“Të karakterizohem si dikush që synon t’i shtyp apo ofendojë gratë, për mua është e palogjikshme dhe përveç se një përpjekje për betejë politike, nuk prezanton diçka tjetër”, pohon ajo, duke shtuar se me vetë shembullin e saj, ajo përfaqëson një betejë për gratë dhe jo tendecë për shtypje të tyre.

“Unë jam grua vetë dhe prej se jam e vetëdijshme se kam lindur vajzë dhe jetojë në një shoqëri me standarde të ndryshme për vajzat dhe djemtë, unë nuk kam reshtur në betejën për barazi”.

“Kjo betejë nuk lidhet me postet që mbaj dhe as partinë që përfaqësoj, kjo betejë është pjesë e jetës, vlerave dhe mishërimit tim me jetën”.

“Përvoja ime në ekzekutiv dhe në legjislativ më dha mundësinë direkte të kontribuoj në ndryshime ekzekutive dhe legjislative për fuqizim ekonomik të grave dhe vajzave dhe për barazi në pozitat vendimmarrëse”.

“E ja që kemi gabimet tona dhe ato duhet evidentuar kur bëhen, qofshin edhe fjalë e thënë e mbetur si skelet në kujtesën tonë të cilat duhet fshirë dhe harruar për t’u mos u kujtuar dhe përsëritur më”.

“Kauza ime për barazinë shkon përtej politikës dhe përtej mandatit tim publik, ajo është e gravuar në mua për sa të kem jetë dhe mendje të kthjelltë për të punuar. Kjo kauzë nuk lidhet vetëm me mësimet e marra dhe veprimet e duhura, ajo lidhet edhe me vuajtjet dhe përpjekjet e mia personale dhe grave e vajzave rreth meje, kjo kauzë është rikujtimin i përditshëm për punën tonë në mënyrë që gjeneratat e reja të mos vuajnë atë çfarë përjetuam ne”, përfundon statusi i Kusari-Lilës./Insajderi.com

 

Ditë më pare u bë lajm në një nga mediumet Kosovare shprehja ime e përdorur gjatë emisionit “DPT te Fidani” lidhur me…

Posted by Mimoza Kusari on Wednesday, January 6, 2021