Deputetja nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi, që ta mbajë maskën edhe për pak kohë, kur ministri Kuçi doli në foltore të Kuvendit të Kosovës për ta marrë fjalën.
Kuçi, me të dalë në foltore e hoqi maskën duke thënë “Hajde për hajër na qoftë”.
Lidhur me këtë, reagoi folësja paraprake, deputetja Kusari-Lila , e cila dëgjohet tek i thotë “Prit edhe pak”, e ministri Kuçi ia kthen “E kam pasë më herët, veç po frikësohem mos po ua ngjes juve”.
Ndonëse nuk ka asjë njoftim publik se ministri Kuçi ka qenë i prekur me Covid-19, si duket ka zgjedhur që me anë të humorit të deklarojë një gjë të tillë.
Seanca plenare e sotme po vazhdon të mbahet për situatën e krijuar në Telekomin e Kosovës, të inicuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.
Madje, për këtë çështje ministri Kuçi, në foltore u shpreh se faji për gjendjen e Telekomit është i të gjithëve.
“Të gjithë jemi fajtorë së bashku për gjendjen në Telekom, por ajo që është me rëndësi, është me dalë prej kësaj gjendje”, tha Kuçi. /Insajderi.com/