Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është shprehur mirënjohëse me përgjegjësitë e reja si ushtruese e detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të VV-së, njofton Insajderi.
Kusari-Lila përmes një postimi në Facebook ka thënë se është respekt të jesh shefe e grupit më të madh parlamentar në vend.
“Mirënjohëse dhe e nderuar me përgjegjësitë e reja të besuara nga bashkëpunëtorët e mi në kuadër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje! Për dy vite me radhë kemi pasur një bashkëpunim dhe bashkërendim të aktivitetit tonë parlamentar dhe zgjedhor në dy palë zgjedhje nacionale. Të jesh shefe e grupit më të madh Parlamentar në vend është respekt dhe përgjegjësi e madhe për të cilat jam e gatshme t’i marrë me seriozitet dhe përkushtim”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka falënderuar kryeministrin dhe liderin e VV-së, Albin Kurtin për propozimin e tij që Kusari-Lila të jetë shefe e GP të VV-së.
“Faleminderit Kryeministrit të Kosovës dhe Kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti për propozimin dhe gjithë kolegëve deputetë për mbështetjen e tyre. Na priftë e mbara së bashku!”, shkroi Kusari-Lila./Insajderi.com