Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se qytetarët dje (e diel) iu kanë përgjigjur referendumit, njofton Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, ajo i ka falënderuar qytetarët e vendit “për një proces zgjedhor shembullor, me standardet më të larta demokratike”
“Dje qytetarët e Republikës iu përgjigjën referendumit me bindjen e paluhatur se 14 Shkurti do të nderojë historinë e deritashme të Kosovës dhe do e përcaktojë të ardhmen e saj.
Ditë e re zbardhi me shkëlqimin e fitores dhe shpresën e të ardhmes. Urime Kosovë, dashuria jonë e përjetshme!”, ka shkruar ndër të tjera Kusari-Lila.
Kujtojmë se, të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka numëruar deri tani 98.25 për qind të votave.
Nga këto vota të numëruar, vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje me 48.17%, e pasuar nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./Insajderi.com