Kusari: Taksa 5 euro ishte gabim, do të zbardhet gjithçka që e shtyu Durmishin të nënshkruajë kontratën

Kusari: Taksa 5 euro ishte gabim, do të zbardhet gjithçka që e shtyu Durmishin të nënshkruajë kontratën

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se vendimi për tiketën ngjitëse prej pesë eurove, është marrë pa qenë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në Kosovë, transmeton Insajderi.

Kusari-Lila thekson se brenda Ministrisë së Infrastrukturës ka pasur dy interpretime të ndryshme sa i përket taksës për tiketën ngjitëse.

“Njëri grup e ka mbështetur, derisa grupi tjetër e ka kundërshtuar këtë vendim”, tha ajo në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit.

Kusari-Lila thotë se brenda Grupit Parlamentar të LVV-së pothuajse kanë qenë të një mendimi se vendimi për tiketën ngjitëse duhej të tërhiqej.

“Ka qenë konsensus pothuajse i plotë në Grupin e LVV-së se kjo [taksë] duhej tërhequr. Pos faktit të pezullimit të tiketës duhet të zbardhen hapat që çuan deri te ky vendim”, duke shtuar se që nga fillimi e ka ditur që vendimi për taksën prej 5 euro ka qenë një “gabim apo nguti”.

“E vlerësoj që ka pasur një reagim nga vet ministri Liburn Aliu. E dyta do të zbardhen dhe të priten vendimet tjera për të parë të gjitha hapat që e kanë shtyrë zëvendësministrin Durmishi për të nënshkruar këtë marrëveshje”, thotë ajo duke shtuar se e mira e gjithë kësaj është që marrëveshja nuk ka filluar të zbatohet. /Insajderi.com