Kush akuzohet nga Sali Berisha për vrasjen e gjyqtares Hafizi

Kush akuzohet nga Sali Berisha për vrasjen e gjyqtares Hafizi

Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka cilësuar një ngjarje të rëndë vrasjen e gjyqtares së Shkodrës Fildes Hafizi.

Ish-kreu i qeverisë me anë të një postimi në Facebook, thekson se vrasësi i vërtetë nuk është ai që shkrehu armën, por ata që nuk i dhanë mbrojtjen që meritonte gjyqtares.

“Të dashur miq, sot një grua, nënë, gjykatëse Fildes Hafizi u vra në mes të ditës dhe në mes të rrugës nga ish bashkëshorti i saj, i cili dy vjet më parë i kishte vendosur asaj revolen në ballë në mes të plazhit të Golemit dhe ishte liruar në mënyrën më të papërgjegjshme nga Parlamenti me amnisti, me gjithë tentativën për ekzekutim publik, armëmbajtje pa leje”.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë krim të shëmtuar dhe shprehur ngushëllimet më të sinqerta fëmijëve dhe familjarëve të të ndjerës, dënoj gjithashtu indiferencën kriminale të organeve të shtetit, të cilat me qëndrimin e tyre të papërgjegjshëm nuk bënë asgjë për parandalimin përkundrazi lehtësuan veprën mizore, vrasjen e saj të paralajmëruar!Krimineli shkrehu këmbëzën e dorës së tij të zezë, por vrasjen e bënë ata që qëndruan në anën e vrasësit dhe nuk i dhanë gjykatëses mbrojtjen që meriton”, ka shkruar Berisha në Facebook.