Kush do e udhëheq Ministrinë e Brendshme- përgjigjet ministrja e qeverisë

Kush do e udhëheq Ministrinë e Brendshme- përgjigjet ministrja e qeverisë

Tashmë Ministria e Punëve të Brendshme, është pa udhëheqës. Kjo për shkak të dorëheqjes së Flamur Sefajt, nga drejtimi i saj.

Dorëheqja e Sefajt, kishte ardhur pas kërkesës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kërkoi nga ai lirimin e pozitës së ministrit për arsye të arrestimit të gjashtë gylenistëve dhe deportimit të tyre për në Turqi.

Flamur Sefa, u bë ministër si anëtar i Aleancës Kosova e Re, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

Mirëpo, kush do e zëvdënsojë tashmë ministrin  e dorëhequrit, ende nuk është vendosur nga zyrtarët e AKR-së.

Albena Reshitaj, nga kjo parti, dhe njëherësh ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka thënë për Insajderi se ditëve në vazhdim do të vendosin se kush do e zëvendësojë Flamur Sefajn.

Ajo shtoi se do të jetë një njeri me integritet dhe me një CV të pastër.

“Ende nuk kemi vendosur se kush do e zëvendësojë zotërin Sefaj. Ditëve në vazhdim kryesia e AKR-së do të mblidhet dhe do të vendosë për emrin e tij. Ajo çka mund të them është se do të jetë një njeri me integritet të lartë dhe me një CV të pastër. Një punëtor, ashtu siç ishte edhe ministri Sefaj”, ka thënë Reshitaj.

Ajo e kundërshtoi kategorikisht që kryesimin e kësaj ministrie ta merr ndonjë anëtar i partive tjera në pushtet, ashtu si është raportuar ditëve të fundit.

Reshitaj tha se një gjë të tillë AKR nuk do e pranojë në asnjë formë, dhe se nuk ka pasur asnjë diskutim brenda akterëve të koalicionit, që partia e Behgjet Pacollit ta lirojë këtë pozitë.

“Jo nuk ka pasur asgjë konkrete. Askush nuk na ka kërkuar një gjë të tillë. AKR do vazhdojë të udhëheq me ministrinë e Punëve të Brendshme. Nuk pranojmë që këtë pozitë ta ketë ndonjë anëtar i ndonjë partie tjetër”, ka thënë Reshitaj.