Enver Sekiraqa, u dënua sot për herë të dytë për nxitje në vrasjen e Policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza.
Gjykata e dënoi atë me 30 vjet burgim. Edhe në vitin 2016 ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinë, me 37 vjet burgim. Por rasti u ishte kthyer në rigjykim.
Por kush është Enver Sekiraqa, gangster i Prishtinës?
I njohur si gangster i Prishtinës, Evner Sekiraqa, ishte udhëqeës i një bande të rrezikshme e njohur për krime të shumta sidomos në kryeqytet.
Në vitin 2005 në Swiss Casino kishte ndodhur një përleshje mes Enver Sekiraqës dhe policit Triumf Rizës.
Pikërisht në atë kohë Triumf Riza, kishte nisur takime intime me këngëtaren, Adelina Ismajli. Riza kishte në dijeni se këngëtarja kishte qenë e dashura e Enver Sekiraçes. Kjo besohet ta ketë përshpejtuar konfliktin ndërmjet Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës.
Në Swiss Casino në Prishtinë, Riza dhe një koleg i tij, polic me emrin Arben Selmani, ishin fjalosur me Sekiraqën dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij. Fjalosja kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishin filluar të ziheshin me njëri-tjetrin, duke përfunduar në një shkëmbim zjarri dhe u lënduan Arben Selmani dhe një anëtar i grupit të Enver Sekiraqës i quajtur Valdrin Gashi i cili ishte prezent.
Pas incidentit të shkëmbimit të zjarrit ishin ndërmor disa procedura kundër Enver Sekiraçës dhe kishte përfunduar në burg.
Këtu nuk kishte përfunduar sherri mes tyre.
Në fund të gushtit të vitit 2007, në Prishtinë u vra polici i njësisë speciale, Triumf Riza. Atë e vrau Arben Berisha. Por, në skenë menjëherë pas krimit doli emri i mafiozit prishtinas, Enver Sekiraqa.
Derisa pritje që vrasja e një polici mund të ishte një triumf për bandën e tij, në fakt në atë ditë nisë edhe rënia e Sekiraqës. Ishte fillimi i fundit të tij.
Historia e konfliktit mes Sekiraqës dhe Rizës përveç që lidhej me konfliktin në Swiss Casino, sipas familjarëve të Rizës datonte qysh më herët. Ata pretendonin se përplasja mes tyre kishte nisur në vitin 2000.
“Sekiraqa ka tentuar ta aktivizojë bombën për ta vrarë Triumfinsë bashku me një polic pakistanez. Kjo ka ndodhur para shkollës së mjekësisë në Prishtinë ku Sekiraqa së bashku me 14 vetë, ka hyrë edhe në shkollë, I ka rrahur edhe arsimtarët në sallë për t`i marrë me dhunë tri vajza. Mirëpo ky ka ndërhyrë edhe KFOR-I dhe e kanë arrestuar Sekriqën “, pati thënë Shefqet Riza babai i Trimuf Rizës.
Me një fletë arrest ndërkombëtarë të lëshuar nga UNMIK-u, në vitin 2007, Enver Sekiraqa kërkohej nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar ndërkombëtar, vjedhjes, krimeve seksuale etj.
Për disa vite Sekiraqa ndodhej në arrati. U dorëzua në polici në vitin 2012.
Aktakuza ndaj tij u ngrit në prill të vitit 2014. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Në vitin 2016, gjykata atë e ka shpallur fajtor për vrasjen e policit të Njësisë Speciale Riza dhe për detyrim të pagesës së haraçit ndaj këngëtares Adelina Ismajli.
Ndërsa në piken e tretë të aktakuzës, mbi dyshimet për dhunim, Enver Sekiraqa është shpallur i pafajshëm.
Dënimi i ishte shqiptuar me 37 vjet heqje lirie.
Sekiraqa gjithashtu ka vuajtur një dënim prej dy vjetëve për një incident me policë në Ferizaj, apo veprën penale kërcënimit dhe pengimit të personave zyrtarë gjatë përmbushjes së detyrës. Këta policë mandej janë dënuar për shpërthimin në lokalin e tij në Prishtinë. Cak i shpërthimit që la dy të vdekur, ishte Sekiraqa.
Sekiraqa përmendej edhe në kabllogramet diplomatike të publikuara nga Ëikileaks në vitin 2011, që i referohen zhvillimeve të vitit 2007 e që e përshkruajnë atë si një gangster me lidhje me politikanë të fuqishëm.
Thoshtë se nuk ka shumë afërsi me njerëz të LDK-së dhe se asnjëherë nuk ishte takuar me Ibrahim Rugovën, por thoshte se ka kërkuar vota për këtë parti.
Sekiraqa që kërkonte vota për LDK-në dukej se kishte armiqësi me PDK-në. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e kishte burgosur gjatë luftës Sekiraqën nën dyshimin se ai ishte bashkëpunëtor i regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Vet ai pretendonte se UÇK-ja e kishin torturuar për një arsye tjetër.
Thoshte se komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, kishte kërkuar ta takonte. Dhe nga ai kishin kërkuar 600 mijë marka, por që Sekiraqa deklaronte se nuk i kishte gjithë ato para.
Enver Sekiraqa kishte arritur të ikte nga duart e UÇK-së.
Pasi që Sekiraqa u dorëzua në polici në vitin 2012, ai për disa vite u përball me gjyqin ndaj tij.
Pas mbi një dekadë pas këtij krimi që tronditi vendin, vrasja e policit, sot Gjykatat Themelore e Prishtinës e dënoi Sekiraqën për nxitje të vrasjes së tij. Me 30 vjet burgim u dënua ai./Insajderi.com