Kush i stolisi pemët me “mindila” të kuq?

Kush i stolisi pemët me “mindila” të kuq?

14 shkurti po cilësohet festë e madhe.

Një gjë e tillë po paralajmërohet me vendosjen e mindilave të kuq nëpër pemët e kryeqytetit, gjë të cilën vullnetarët e Lëvizjes Vetëvendosje po e cilësojnë stolisje për këtë festë.

Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me zyrën për komunikim të LVV-së, për t’i pyetur rreth kësaj iniciative, por nga kjo zyrë thonë se kjo ide vie nga vullnetarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk është organizim i tyre.

“Me këtë iniciativë janë marrë vullnetarët e rinj të Lëvizjes Vetëvendosje, pra ideja ka qenë e tyre”, thuhet në përgjigjen e LVV-së.

Kështu është bërë e ditur për Insajderi-n edhe nga njëri ndër vullnetarët, Behar Jashari, por që ky i fundit thekson se për këtë organizim janë koordinuar edhe me Shtabin e Qendrës së kësaj partie politike.

“Kemi pasur koordinim me Shtabin e Qendrës. Ekziston një lloji semi-autonomie, kështu që ne jemi të rinj dhe e kemi nisur si iniciativë rinore, prej të rinjve të moshave 18 deri në 24 vjet”, ka thënë Jashari për redaksinë.

Ai tutje ka njoftuar se për një organizim të tillë kanë marrë leje nga Komuna e Prishtinës, ndërkaq nuk e di nëse edhe vullnetarët nëpër qytete të tjera, do ta bëjnë të njëjtën gjë.

“Për momentin kemi arritur t’i mbulojmë një pjesë të rrugëve kryesore të Qendrës, por besoj që kjo do të zgjerohet edhe më shumë në rrugët e tjera. Kemi marrë edhe pëlqimin e Komunës së Prishtinës për t’i stolisur disa rrugë kryesore të qytetit”.

“Ky është organizim që ka nisur nga vullnetarët e Qendrës së Prishtinës e nëse bëhet edhe në qytetet e tjera, ajo është jashtë margjinave të koordinimit tonë, por kjo është vetëm një iniciativë simbolike që ka nisur nga vullnetarët e kësaj qendre”, është shprehur tutje Jashari.

I pyetur lidhur me kuptimin e vendosjeve të këtyre mindilëve nëpër pemë, Jashari thotë se simbolizon një festë, përveç asaj të të dashuruarve, “edhe të referendumit që do të ndodhë” pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit.

“Para disa ditëve është diskutuar dhe menduar për të simbolizuar në njëfarë mënyre festën e 14 shkurtit, meqenëse 14 shkurti sivjet është përtej ditës së të dashuruarve, për ne është edhe dita e referendumit, dhe kemi menduar ta stolisim qytetin për ta simbolizuar këtë ndryshim me ngjyrat e Lëvizjes”, thotë ai.

Me hapjen zyrtare të fushatës parazgjedhore, është parë edhe një element ndryshe prej vizitave të politikanëve nëpër qytete, biznese e kompani të ndryshme. Trupat e pemëve në hapësirat publike të kryeqytetit janë zbukuruar me materiale të kuqe. /Insajderi.com