Kush ia dha Mario Millosheviqit në Burgun e Dyzit letërnjoftimin fals, peshoren dhe viagrat?

Kush ia dha Mario Millosheviqit në Burgun e Dyzit letërnjoftimin fals, peshoren dhe viagrat?

Pas arrestimit, Mario Millosheviq, u dërgua në Burgun e Dyzit, ku edhe ishte përfshirë në një rrahje aty.

Mesditën e 29 dhjetorit të vitit të kaluar, Mario Millosheviq është rrahur me një të paraburgosur tjetër në sallën e rekreacionit brenda Burgut të Sigurisë së Lartë.

Kur ai u arrestua u gjenden më shumë se sa një dokument i falsifikuar identiteti. Ishte edhe një letërnjoftim kroat. Për çudi, pasi që ai ra në burg, në një kontroll të zhvilluar gjatë një vizite tek ai më 26 korrik 2018, në gjërat e tij personale, u gjend edhe ky letërnjoftim kroat. “Nuk e di se si ka përfunduar ai në patiket e mia”, u kishte thënë hetuesve Millosheviqi. Pos letërnjoftimit kroat, në këtë ditë në gjërat e tij personale u kap edhe një peshore për peshim të gjërave të vogla, që rëndom përdoret edhe nga dilerët e drogës për ta ndarë sasinë e madhe për shpërndarje në qese të vogla.

Për çudi, në atë rast gardianët kapën edhe tableta “Kamagra Sildenafil” 100 milogramshe, që janë në fakt lloj i viagrës- ilaçe për rritje të potencës seksuale tek meshkujt.

Derisa këtë incident dhe personat që i sillën këto gjëra te Mario Millosheviq i ka denoncuar Shërbimi Korrektues i Kosovës në Polici, ky institucion as pas disa ditë pritjesh, nuk ka mundur të konfirmojë se si është regjistruar ky rast në bazën e të dhënave të tyre. Në Prokurori kanë konfirmuar për InDoks se rasti në fjalë nuk ka shkuar tek ta nga Policia. Praktikisht, ende nuk dihet se kush do të ndiqet penalisht për futjen e këtyre gjërave tek Mario Millosheviqi.

Avokati i Mario Millosheviq, Arsim Bilalli ka refuzuar që të intervistohet për këtë dokumentar, siç kanë refuzuar edhe disa nga avokatët e të dënuarve të tjerë të kontaktuar nga InDoks.

InDoks në këtë dokumentar do të zbulojë të gjeturat e një hulumtimi të gjatë mbi Mario Millosheviqin, i kërkuar në Mal të Zi për krime shumë të rënda, e i dyshuar si anëtarë i njërës nga dy bandat më të mëdha që operojnë në biznesin e drogës në Kotor. Edhe për njerëzit që e rrethojnë. Edhe për ata që e ndihmuan në një arratisje të dështuar nga burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.