Remzi Shala e Faik Zogaj janë dy ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kanë deklaruar se nuk do t’i përgjigjën ftesës nga Prokuroria e Specializuar. Ata kanë theksuar se nuk e njohin një gjykatë të tillë.
Sot, Faik Zogaj, ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare në zonën e Malishevës ka bërë me dije se ka pranuar ftesën nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të akuzuarit.
Përmes shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka theksuar se nuk do ti përgjigjet kësaj gjykate pasi nuk e njeh.
“Të nderuar familjarë, miq dhe shokë, dua t’ju informoj që kam pranuar ftesë ne cilësinë e të akuzuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, të cilës nuk do i përgjigjem më datë 21.03.2020, sepse unë personalisht nuk e njoh ketë Gjykatë derisa kjo gjykatë t’i dënon kriminelet që më i vranë më të dashurit e mij brenda në shtëpi”- ka shkruar Zogaj, përcjell Insajderi.
Edhe ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala, i njohur me pseudonimin “Molla e kuqe”, në dhjetor të 2018-s ishte ftuar nga Gjykata Speciale.
Shala, ishte ftuar nga Gjykata Speciale që të paraqitej më 17 janar të vitit 2019 në këtë Gjykatë në Hagë.
Por, që nuk u paraqit asnjëherë – madje ai u bëri thirrje edhe ish-ushtarëve të tjerë që të veprojnë njëjtë si ai.
“Unë Komandant (Molla e Kuqe) i togut të Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kam pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për tu dorëzuar në Hagë, deklaroj para gjithë popullit se nuk do të dorëzohem dhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese. Ata që ma prunen këtë ftesë u deklaruan se janë policë të Euleksit ndërsa unë ju kundërpergjigja që nuk e njoh këtë gjykatë unë jam shqipetarë dhe jam krenar për luftën që kam bërë andaj u bëjë thirrje të gjithë shokve që sikur kemi dhënë besën për Atdhe dhe për flamur ashtu të jemi të një bese mos ta njohim këtë gjykatë dhe mos të dorzohemi në Hagë me respekt Komandant Molla e Kuqe”, ka shkruar Shala, përcjell Insajderi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, ka shpallur fajtor ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Remzi Shala.
Gjykata Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur fajtor Remzi Shalën, për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas vendimit të Gjykatës, “Molla e Kuqe”, është dënuar me 14 vjet burg.
“I akuzuari me iniciale R.SH.nga fshati Shirokë Komuna e Suharekës,për veprën penale si në dispozitivin e kësaj aktakuze, Gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 14 (katërmbëdhjetë ) vite , në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 24.05.2019 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Theksojmë se, prej momentit kur Shala kishte marrë ftesën nga Gjykata Speciale, ai është arratisur nga Kosova dhe askush nuk tregon asgjë për vendndodhjen e tij.
Avokatët mbrojtëse të të ftuarve nga Specilja kanë bërë me dije se nëse refuzohen ftesat, gjykata ka mandat qe të ftuarit t’i marrë me forcë, prandaj është në interes të procesit që të përgjigjen në ftesa. Nëse refuzohen ftesat, gjykata mund t’i arrestojë të ftuarit dhe tu caktojë paraburgimin si masë për sigurinë e tyre ne proces.
Ndryshe, Prokurori i Specializuar e ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se ka ndërmend të fillojë procedime penale, si dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.
Në njoftim thuhet se “përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”./Insajderi.com