Kush janë tre emrat që flitet se do ta udhëheqin Ministrin e Jashtme në Qevrinë Kurti?

Kush janë tre emrat që flitet se do ta udhëheqin Ministrin e Jashtme në Qevrinë Kurti?

Tre emrat që janë përfolur së fundit si pretendent për postin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, në Qeverinë e Albin Kurtit, janë Veton Surroi i cili dështoi me partinë e tij Ora, ministri i shkarkuar i Shqipërisë Ditmir Bushati dhe Blerim Reka, që humbi zgjedhjet presidenciale në Maqedoni.

Megjithëse akoma nuk ka përfunduar çertifikimi final i votave të zgjedhjeve të 6 tetorit, dhe nuk ka një marrëveshje finale për koalicionin mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë përmendur disa emra për postin e Ministrit të Jashtëm, të cilin përveç VV’së edhe LDK’ja ka shprehur interesim.

Kështu, vetë kandidatja e kësaj partie për Kryeministre Vjosa Osmani nuk e ka mohuar se ajo mund ta udhëheq këtë ministri, ani pse akoma asgjë konkrete nuk kanë arritur për ndarjen e posteve në rast se arrihet marrëveshje për koalicionin me VV’në për qeverisje të përbashkët.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë nisur të kërkojnë emra për Ministra edhe jashtë partive të tyre për të ndërtuar një Qeveri sa më kredibile. Përpos në diplomaci, Albin Kurti dhe Isa Mustafa po kërkojnë emra të pakompremetuar për t’i vënë në krye të dikastereve qeveritare, shkruan Metro.

Ndërsa, dihet që Veton Surroi ka pasur një afërsi me Vetëvendosjen prej kur kishte dështuar ta kalonte pragun në garën elektorale të vitit 2007. Madje, në zgjedhjet e fundit ka dalë hapur pro fitores së partive opozitare, VV’së e LDK’së.

Një muaj para zgjedhjeve, Surroi kishte thënë se ardhja e Albin Kurtit si Kryeministër duket reale dhe kishte lavdëruar Vetëvendosjen për ofertën që ia kishin bërë LDK’së për koalicion parazgjedhor.

Përveç publicistit Veton Surroi, për ministër të Jashtëm të Kosovës të një qeverie të mundshme LDK-Vetëvendosje po përmendet edhe ish-kryediplomati Ditmir Bushati.

Bushati ishte shkarkuar nga Edi Rama nga detyra e Ministrit të Jashtëm, ku dihet se ky vendim ka ardhur pas shumë
pakënaqësi të shprehura nga ana e ish-ministrit që pas shkarkimit të tij dhe zëvendësimin me Gent Cakajn.

Bushati ka mbajtur shpesh herë qëndrime kritike, ndërsa ka konfirmuar edhe në media se me kryeministrin kishte ide të ndryshme për çështje të caktuara. Duket se kjo i ka kushtuar Bushatit, duke marrë kështu një rol edhe më të zbehtë në PS.

Së fundi mediat në Maqedoninë e Veriut po raportonë se në mesin e tre kandidatëve për Ministër të Jashtëm të qeverisë së Albin Kurtit do të jetë edhe Blerim Reka, i cili i humbi zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, shkruan Gazeta Metro.

Profesori universitar i së drejtës ndërkombëtare, Blerim Reka është një nga tre kandidatët për postin e ministrit të jashtëm të Kosovës në Qeverinë e koalicionit LVV– LDK.

Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e lajmeve INA nga burime partiake, që kanë pranuar se Reka është një nga kandidatët e mundshëm, duke pasur parasysh afërsinë e tij me Albin Kurtin.

“Po është duke u shqyrtuar edhe kandidatura e profesorit Reka, por akoma nuk ka asgjë zyrtare”, tha për INA, një burim partiak pranë Lëvizjes Vetëvendosje.

Profesori Reka ka qenë pjesë zyrës politike të UÇK’së në Prishtinë bashkë me Albin Kurtin, e cila udhëhiqej nga Adem Demaçi gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ai ishte këshilltar për marrëdhënie ndërkombëtare.