Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik në Zvicër, Kosova kategorizohet si zonë e rrezikshme për shkak të Pandemisë COVID-19 dhe ushtëtarët nga Kosova e kanë të obligueshëm karantinimin për 14 ditë nëse udhëtojnë drejt Zvicrës.
Por, lojtarët e Klubit Futbollistik Drita, që kanë udhëtuar drejt Nyonit të Zvicrës, ku do të ndeshen në kuadër të Ligës së Kampionëve me Inter d’Escaldes nga Andora, e kanë evituar karantinën.
Gazeta zvicerane 20 Minuten ka shkruar për këtë. Duke shtruar pyetjen se si lojtarët kosovarë të Dritës, kanë udhëtuar nga Kosova, por prapë nuk po futën në karantinë.
Në fakt Drita ka njoftuar se lojtarët janë testuar dhe se të gjithë kanë rezultuar negativë në testin për COVID-19, por kjo nuk është e mjaftueshme thotë gazeta zvicerane.
“Rezultati negativ i testit as nuk e heqë kërkesën për karantinim e as nuk e shkurton kohëzgjatjen e karantinës, sepse një rezultat negativ nuk e përjashton mundësinë e të qenurit të infektuar me Coronavirusin e ri”, thuhet nga Zyra Federale e Shëndetit Publik, njofton Insajderi.
Por, Drita ka marrë një përjashtim nga këto rregullua dhe ky përjashtim është i ligjshëm, thuhet në shkrimin e 20 Minuten.
“Sipas qeverisë federale, përjashtimi është i ligjshëm. Në rregulloren për masat për të luftuar Coronavirusin në fushën e trafikut ndërkombëtar të udhëtarëve, neni 4 shprehet se ‘autoriteti kompetent kantonal mund të aprovojë përjashtime të mëtejshme nga detyrimi i karantinës ose të japë lehtësim në raste të justifikuara’”, thuhet në tekstin e gazetës.
Kantoni është pyetur për këtë çështje dhe ata kanë konfirmuar se “mjeku përgjegjës i kantonit kishte vërtetuar masat e marra nga UEFA, prandaj FC Drita mund ta luajë ndeshjen dhe nuk ka pse të jetë në karantinë”./Insajderi.com