Kushtetuesja aprovon ankesat e dy kandidateve për deputete të VV-së për zgjedhjet e 6 tetorit

Kushtetuesja aprovon ankesat e dy kandidateve për deputete të VV-së për zgjedhjet e 6 tetorit

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar ankesat e dy kandidateve për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti dhe Drita Millaku, në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, përcjell Insajderi.

Ato pretendonin se Komisioni Qendror Zgjedhor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata Supreme kanë zbatuar në mënyrë kundërkushtetuese mënyrën e zëvendësimit të deputetëve të përcaktuar me nenin 112.2 (a) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kushtetuesja ka aprovuar ankesat duke konstatuar se ka pasur diskriminim gjinor në momentin kur ato nuk ishin lejuar të bëheshin deputete për të zëvendësuar deputetët që ishin bërë ministra.

“Gjykata konstatoi se, parashtruesja Tinka Kurti është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia e zëvendësimit të deputetëve, e njëjta edhe pse kishte më shumë vota se kandidatët burra për deputetë Fitim Haziri dhe Eman Rrahmani, nuk iu mundësua që të bëhej deputete.

Më tutje, Gjykata gjithashtu konstatoi se, parashtruesja Drita Millaku është diskriminuar në bazë të gjinisë në lidhje me të drejtën e saj për t’u zgjedhur, në momentin kur edhe përkundër përmbushjes së kuotës minimale 30% nëpërmjet rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik LVV, në momentin kur u krijua mundësia për zëvendësimet e ardhshme të deputeteve, përkatësisht kur dha dorëheqje deputeti Shpejtim Bulliqi, në vend të tij, në bazë të përcaktimit për zëvendësim në kuadër të gjinisë së njëjtë, më 18 dhjetor 2020, mandat deputeti mori kandidati Taulant Kryeziu me 6968 vota”, thuhet në njoftim./Insajderi.com