
Kushtetuesja ka konstatuar se ekipi negociator i Kosovës i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj është i jashtligjshëm, pasi që janë shkelur 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e dialogut.
Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e parashtruar nga 32 deputetë të Kuvendit të Kosovës lidhur me kushtetutshmërinë e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave të delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë.
Gjykata ka gjetur se të paktën 5 nene të ligjit që rregullon kompetencat e këtij dialogu janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Gjykata konstatoi, se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë, dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror, nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve dhe nuk mund të ndërhyjë në formën e qeverisjes, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.
“Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë. Bartja e kompetencave tek “mekanizimi i posaçëm”, paraqet ndërhyrje në formën e qeverisjes, ndarjen e pushtetit, si dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, siç janë të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i mvesh Delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me normat kushtetuese”, thuhet në vendimin e gjykatës.