e ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe<" />

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Listës Serbe për të marr dy Ministri në Qeverinë Kurti

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Listës Serbe për të marr dy Ministri në Qeverinë Kurti

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë ankesën e Listës Serbe që kjo e fundit e kishte bërë më 29 mars, për shkak se Qeveria Kurti nuk i kishte dhënë dy ministry komunitetit joshumicë serb, përcjell Shqip.com.

Sipas vendimit të Kushtetueses, thuhet se “bazuar në nenin 96 të Kushtetutës, i detyrueshëm është konsultimi me ose miratimi i deputetëve që përfaqësojnë “komunitetin në fjalë”, përkatësisht deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb ose që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë, varësisht nëse kandidati përkatës është deputet i Kuvendit ose jo, dhe jo shumica e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese theksoi se Qeveria Kurti në çështjen e ndarjes së Ministrisë së tretë për komunitetet joshumicë, e përcakton në bazë të diskutimit me deputetët e zgjedhur apo anëtarët e komuniteteve në fjalë.

“Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se ministri i “tretë” nga komunitetet jo shumicë, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte deputet i Kuvendit i zgjedhur në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, i deklaruar se përfaqëson një nga komunitetet tjera jo shumicë në Kuvend në kuptim të nenit 64 [Struktura e Kuvendit] të Kushtetutës dhe i cili është propozuar për këtë pozitë në konsultim me deputetët që përfaqësojnë komunitetet e tjera jo shumicë në Kuvend.

Duke marrë parasysh që kandidati përkatës ishte deputet i zgjedhur i Kuvendit, miratimi formal nga komuniteti në fjalë nuk është detyrim kushtetues, ndërsa para Gjykatës nuk kishte asnjë pretendim që deputetët që përfaqësojnë komunitetet tjera jo shumicë nuk ishin konsultuar në propozimin e këtij kandidati për Ministër, përkundër faktit që Gjykata u kishte mundësuar që të paraqesin komentet e tyre lidhur me kërkesën e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, si përfundim, Gjykata konstatoi se vendimi i kontestuar i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës, siç është pretrenduar.

“Prandaj, Gjykata konstatoi që, Vendimi i kontestuar i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë nuk është nxjerrë në kundërshtim me paragrafët 3 dhe 5 të nenit 96 të Kushtetutës”, përfundori Gjykata.

Ndryshe, Lista Serbe ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se kishte kërkuar dy Ministri në Qeverinë Kurti, përderisa kishte marrë vetëm atë të Komuniteteve dhe Kthim, e cila tashmë udhëhiqet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. /Insajderi.com