“Kushtetuesja ka tejkaluar kompentencat – po sillet si gjykatë e rregullt në sistemin e zingjirit”

“Kushtetuesja ka tejkaluar kompentencat – po sillet si gjykatë e rregullt në sistemin e zingjirit”

“Gjykata Kushtetuese ka tejkaluar kompetencat duke u sjellë si një gjykatë e rregullt në sistemin e zingjirit”.

Kështu mendon politologu, Ramush Tahiri, derisa u deklarua për zgjedhjen e deputetëve, vota e të cilëve mund të mos jetë legjitime, meqë janë të dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit, e që në këtë rend mund të hyjë edhe Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli.

Tahiri në një prononcim për Gazetën Online Insajderi thotë se për momentin nuk ka udhëzim administrativ që e autorizon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të heq nga lista kandidatët e as Komisionin Parlamentar t’ua marrë mandatin deputetëve as tash e as në retrospektivë.

“Mund të ndodhë që personat zgjedhjen deputetë dhe më vonë të ketë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese dhe mëpastaj një vendim pozitiv apo negativ”, ka thënë tutje ai.

I pyetur nëse mund të rikthehen sërish në postet e tyre, drejtorët e shkarkuar nga Qeveria Hoti, prej institucioneve përkatëse, si Policia e Kosovës, Dogana apo edhe Administrata Tatimore e Kosovës, Tahiri thotë se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo qeveri është në detyrë dhe është legale e legjitime deri në zgjedhjen e qeverisë tjetër “dhe të gjitha vendimet që i ka marrë dhe që do t’i merr janë të vlefshme”.

Të njëjtin mendim e ndan edhe njohësi tjetër i Kushtetutës, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili thotë se të gjitha vendimet e miratuara nga Qeveria Hoti mbeten në fuqi dhe nuk ka pasoja juridike apo mundësi anulimi të vendimeve të miratuara nga formimi i qeverisë në detyrë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

“Sikurse, të gjitha palët që kanë qenë subjekt të vendimeve të Qeverisë Hoti e ruajnë të drejtën të iniciojnë procedura administrative apo civile nëse e vlerësojnë se iu janë kufizuar apo shkelur të drejtat e tyre”, thotë tutje Miftaraj për Insajderi-n.

Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, e shpalli të pavlefshëm votimin e qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Po ashtu, Gjykata në vendimin e saj thotë se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Këtë vendim Kushtetuesja e mori pas ankesës që Lëvizja Vetëvendosje e bëri, duke kërkuar interpretim për votën e një deputeti nga radhët e pakicave, i cili ishte i dënuar me vendim të prerë të Gjykatës. Vota e deputetit Etem Arifi ishte vota e 61-të që ia mundësoi Avdullah Hotit të zgjidhet kryeministër i Kosovës.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mban datën 21 dhjetor 2020.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke interpretuar pikërisht votën e deputetit Arifi, që ishte i dënuar për korrupsion, thuhet se “asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Gjykata Kushtetuese thotë, se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri. /Insajderi.com