“Kushtetuesja mund ta dërgojë në Prokurori rastin nëse nuk zbatohet aktgjykimi i saj”

“Kushtetuesja mund ta dërgojë në Prokurori rastin nëse nuk zbatohet aktgjykimi i saj”

Gjykata Kushtetuese mund të nxjerr aktvendim në rast se aktgjykimi i saj për moscertifikim të kandidatëve të cilët kanë vepra penale në tri vjetët e fundit nuk respektohet, transmeton Insajderi.

Kështu thotë Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, i cili shton se sipas rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese rasti mund të shkojë edhe në Prokurorinë e Shtetit.

Krasniqi tutje tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për tu zbatuar nga individ,  institucione e zyrtarë shtetërorë, duke shtuar se kishte tendenca në mbledhjen e KQZ-së që mos të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses, përmes të cilit i mohohet e drejta kandidimit për deputetë ç’do kujt që në tri vjetët e fundit është i dënuar  për vepra penale.

“Në rast se ndodh që mos të respektohet ky aktgjykim me rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese parashihet që ajo të bëjë monitorimin e zbatimit dhe në rast që sheh se s’po zbatohet, atëherë nxjerr një aktvendim përmes të cilit bëhet më dije që nuk është zbatuar vendimi dhe të njëjtin e publikon edhe në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës,  po ashtu informohet edhe Prokurori i Shtetit për mos zbatimin e vendimit për shkak se kjo konsiderohet edhe si një vepër penale, dhe aty mund të merren edhe masa të tjera nga Prokuroria”, ka thënë Krasniqi për EO. /Insajderi.com